22.09.2018

Hipersoniku kinez, për 2 orë nga Pekini në Nju Jork

22 Shkurt 2018

Inxhinierët kinezë publikuan projektin për ndërtimin e një superavioni hiperskonik, në gjendje që të përshkojë distancën nga Pekini në Nju Jork për dy orë.

Aktualisht, me avionët më të shpejtë që ndodhen në qarkullim, udhëtimi nga Pekini në Nju Jork zgjat 14 orë.

Shpejtësia me të cilin do të udhëtonte ky mjet në ajër do të shkonte deri në 6 mijë kilometra për orë, ose pesë herë më shpejt sesa shpejtësia e zërit.

Projekti fillestar flet për një avion transporti pasagjerësh e mallrash, por nuk përjashtohet që ushtria kineze të përfshihet në të dhe të kërkojë pajisjen me mjete të tilla në të ardhmen.

Avioni është projektuar nga Akademia Kineze e Shkencave në Pekin dhe përmasat e tij mundësojnë transportin edhe të raketave e mbushjeve bërthamore.

Mbi një projekt të ngjashëm është duke punuar edhe kompania amerikane Lockhed Martin, por nuk bën të ditur detaje.