26.04.2018

Mediet botërore të shokuara nga dështimi i Bacelonës, ja çfarë shkruajnë

11 Prill 2018

Shtypi botëror u shokua nga dështimi i Barcelonës ndaj Romës dhe nga “zhdukja” e yllit të katalanasve, Leo Messi.

Sipas gazetave sportive, merita ishte e gjitha e Romës, që bëri Barcelonën të dukej si Crotone.

Gazzetta dello Sport: “Mbrëmje e mrekullueshme. Në fillim, nuk e besonte askush. Roma shënoi tre gola pa vuajtur fare. Me një Dzeko stratosferik, me një Manolas homerik dhe një Di Francesco që shndërroi ëndrrën në realitet. Roma është mes 4 më të mirëve të Europës.

Corrierre dello Sport: “Një Romë përrallore. Pas një ndeshjeje fantastike, unike dhe speciale, Dzeko dhe shokët e tij i dhanë tifozëve një fitore të çmendur. Një 3-0 që turpëron Barcelonën e Messit. Meritë e të gjithëve dhe veçanërisht e Di Francescos, që zbriti në fushë me një 3-5-2 që bllokoi Barcelonën. Punën ia bëri të lehtë edhe “fantazma Messi”, i cili u kufizua nga lëvizjet perfekte të mbrojtjes së Romës”.

L’Equipe: “Në Romë u pa një Romatadë. Pasi përmbysi humbjen 4-1 ndaj PSG, Barcelona provoi se çfarë do të thotë të të përmbysin rezultatin. Roma arriti të pamendueshmen duke u kualifikuar në gjysmëfinale, ndërsa Barcelona nuk njihej”.

Olé: “Një ekip që nuk lufton për titullin në një vend që as nuk do të shkojë në Botëror, lë jashtë Champions-it Barcelonën. Goditje e rëndë për Messin. Çfarë i ndodhi Barcelonës? Një rënie forme në momentin kyç të sezonit. Përveç Ter Stegenit, asnjë lojtar i skuadrës katalanase nuk u paraqit mirë”./rtk/