19.12.2018

Për Gjykatën Speciale

10 Janar 2018

Liria e Shprehjes është njëra ndër vlerat themelore të Bashkimit Europian dhe mbi të cilat zhvillohet Liberaldemokracia.

Në vendet me demokraci të konsoliduar ajo garantohet edhe në zbatim, është komponent i integruar në kulturën e përgjithshme, nënkuptohet si përbërës natyral i rendit shoqëror, derisa në vendet gjysmë demokratike si Kosova, ndonëse është e drejtë e garantuar me akte juridike, ajo privohet, refuzohet dhe përjashtohet nga rendi konservator, por edhe nga Spiralja e Heshtjes.

Shumica e politikanëve aktual dhe të gjithë politikanët e proviniencës së luftës (PDK, AAK, Nisma) pohojnë parreshtur se Gjykata Speciale e dëmton Shtetin, se ajo është ‘Padrejtësi në emër të Drejtësisë’, se duhet të zhbëhet apo s’duhet të zhbëhet, mundet apo s’mundet, por asnjëri nuk e thotë konkretisht se çka na dëmton.

A na ka dëmtuar më shumë Raporti i Dick Marty-it i zyrtarizuar në Rezolutë të Këshillit të Europës (organizata më e madhe e të drejtave të njeriut në botë), me të cilin paria jonë ‘tallej’, apo një gjykatë e cila do të administrohet nga ndërkombëtarët për shkak të kredibilitetit të nevojshëm në këtë proces?

Si e dëmton Shtetin një gjykatë e cila do t’i adresojë në nivel ndërkombëtar pretendimet monstruoze të Rezolutës së KE-së dhe cilat do të jenë dëmet nëse ky proces i sqaron përfundimisht ato?

Drama, siç e ka cilësuar Kryeparlamentari Veseli, ishte inskenim, reagim idhnak i cytur nga kalkulime tërësisht personale dhe një aventurë e rrezikshme për Shtetin.

S’kam besuar dhe s’dua të besoj që figurat kryesore të Luftës Çlirimtare ia kanë frikën kësaj gjykate. Të kundërtën e kanë dëshmuar vite më parë F. Limaj e R. Haradinaj. Por, po ashtu s’dua të besoj se cilido prej figurave të luftës mendon se mund të shpëtojë duke e ‘anuluar’ gjykatën.

Po, gjykata, në versionin aktual, është e padrejtë, s’ka fije dyshimi. Vetëm ata që ende mendojnë serbisht mund ta quajnë ndryshe. Por, këtë është dashur ta mendojnë ‘shefat’ shumë kohë më parë, menjeherë pas Raportit të Marty-it.

“Njollat” e atij raporti për Kosovën, për imazhin e saj në botë, nuk mund të pastrohen me ‘forcë’, me muskujt e OVL-së, por as me votat e deputetëve. Çdo veprim i kësaj natyre është si me i ‘ra vetit’. Dyshimet për vepra si krimet e luftës apo krimet kundër njerëzimit, jo vetëm që s’parashkruhen kurrë, por do të na rrinë përherë varur në ndërgjegjen tonë, në përceptimin e botës për Ne dhe Lirinë tonë.

Në qoftë se një koleg i imi gazetar në Japoni apo Australi ka raportuar për Rezolutën e Këshillit të Europës në vitin 2011, duke krijuar në vetvete dilemën për krimet që pretendonte senatori Marty, unë dua që ai të raportojë prapë duke i thënë audiencës së tij se Kosova ka ngritur një gjykatë (me kredibilitet ndërkombëtar) për t’i trajtuar ato pretendime.

E kjo s’më duket që e dëmton Shtetin.

Ne duhet të kemi guxim e ta themi, prijësit e luftës kanë guxim dhe duhet ta pranojnë. Nuk ka mënyrë tjetër për t’i larguar ‘retë e zeza’ që ia kanë zënë dritën Kosovës. Gjykata Speciale është e padrejtë, por duhet ta dimë se është PASOJË dhe pavarësisht fateve individuale të atyre që mund të akuzohen, Ne duhet të jemi të përgjegjshëm ndaj Amerikës e BE-së.

(Arben Fetoshi është gazetar, njëherësh ligjerues universitar)