16.01.2019

Skema e mashtrimit me bileta false të aeroplanit, më shumë se 800 kosovarë nga Zvicra e Gjermania e kanë pësuar

12 Janar 2019

Për tre vite me radhë rreth 800 shqiptarë nga Kosova të cilët jetojnë në Zvicër e Gjermani kanë rënë pre e mashtrimit duke blerë bileta false të aeroplanit nga kompani e persona të rrejshëm, të cilët për mbulim kanë përdorur emrat e kompanive të mëdha të cilat merren me këtë punë.

Përveç Zvicrës shtet ky në të cilin ka ndodhur numri më i madh i mashtrimeve, shitje të biletave të falsifikuara ka pasur edhe në Gjermani, megjithatë numri i tyre ka qenë më i vogël.

Ndërkohë policia gjermane dhe ajo zvicerane janë duke punuar ngushtë, për të zbuluar se kush qëndron prapa këtyre mashtrimeve me bileta.

Pronari i kompanisë ‘Kosovafly’ Jakup Nuha, në një bisedë për Gazetën Express, ka treguar se bileta të falsifikuara janë shitur edhe në emër të kompanisë së tij, dhe dyshon se prapa këtyre manipulimeve qëndron dikush nga Kosova.

“Këtu është dikush nga Kosova. Kjo punë i ka që dy tri vjet. Dikush po merr emra të agresioneve që janë në treg, po hapin llogari bankare e po shesin bileta, ndërsa ata që po i blejnë biletat po mbesin në nëpër aeroporte. Po na komprometojnë, sepse udhëtarët po i humbin fluturimet. Pastaj po drejtohen në kompani, dikush në ‘KosovaFly’ e dikush në kompani tjera”, ka thënë ai për Gazetën Express.

Ai thotë se të gjithë ata që janë ankuar për blerjen e këtyre biletave, kanë treguar se konfirmimin për blerjen e ‘biletës’ e kanë marrë përmes mesazheve në Viber.

Ai ka treguar për bisedat që ka pasur me këta persona të ndryshëm të cilët kanë blerë bileta në emër të kompanisë ‘KosovaFly’, megjithatë paratë janë dërguar në një konto krejtësisht të panjohur dhe jo në llogari të kompanisë pronar i të cilës është Jakup Nuha.

Nuha tregon se vetëm në vitin 2018 , vetëm në Gjermani kanë ndodhur diku rreth 30 raste, ndërsa thotë se në Zvicër ka pasur shumë më shumë.

“Në vitin 2018, kanë ndodhur më shumë raste në Zvicër, por më pak në Gjermani. Në Gjermani diku rreth 20-30 veta” ka thëën ai për Gazetën Express.

 E dyshimet e tij se prapa gjithë kësaj qëndron një person nga Peja me emrin Roland Idrizi. “Po dyshimet janë për një person nga Peja, Roland Idrizi”

I pyetur se a i ka kontaktuar autoritet e drejtësisë këtu në Republikën e Kosovës apo në Gjermani, Nuha thotë se një gjë të tillë e ka bërë vetëm në Gjermani.

“Për Policinë në Kosovë nuk e kem njoftuar hiq. Gjermanët e dinë. Kemi kontaktuar me ta qysh para dy viteve”, ka shtuar ai. Për gjithë këto tre vite, Nuha thotë se pre e këtyre mashtrimeve me bileta kanë rënë diku rreth 800 persona.

Ai thotë se këta persona të cilët qëndrojnë prapa këtyre mashtrimeve kanë shfrytëzuar për të shitur biletat e sezonës, të cilat janë në çmim më të shtrenjtë.

“Kanë manipuluar, biletat e 600 eurove, i kanë shitur me çmim përgjysmë”, ka thënë ndër të tjera Nuha për Gazetën Express.

Në fotografitë e siguruara nga Gazeta Express shihet se paratë dërgohen në të njëjtën llogari bankare, tek një person me emër fiktiv 'Brusli Sukaj' i cili ka adresë një qytet me emrin Bittnau-Zofingen.  Ky person madje posedon edhe vulën për vërtetimin e 'biletave'.

Përveç tjerash Nuha ka treguar se si këta persona të cilët mashtrojnë me këto bileta, dërgojnë edhe mesazhe nëpër telefonat e shqiptarëve nga Kosova që jetojnë në Zvicër, për t’i njoftuar me oferta të rrejshme, vetëm e vetëm për t’ua shtiur biletat.


Në këtë fotografi shihet se si një kosovar ka rënë prehje e mashtrimit duke blerë dy bileta për familjen e tij, prej një shifre që arrinë deri në 850 franga zvicerane.

Ndërkohë nuk është vetëm kompania ‘KosovaFly’ që ka pësuar shkaku i këtyre mashtrimeve.

Në kushte anonimiteti për Gazetën Express ka folur edhe një pronar tjetër i një kompanie biletash. Ai ka thënë se autoritetet gjermane ia kanë ndaluar që të mos flas, shkaku i hetimeve që janë duke u zhvilluar për gjetjen e autorëve të këtyre mashtrimeve.

“Policia Gjermane dhe ajo e Zvicrës janë duke bashkëpunuar ngushtë për të gjetur se kush qëndron prapa kësaj”, ka thënë ai, pa dashur që t’i përmendët emri.

Ndërkohë në një llogaritje shumë të thjeshte, del se përfitimet nga shitja e këtre biletave të rrejshme  jaën qindra mijëra euro.

Nëse janë mashtruar deri tani rreth 800 persona, çmimi i një bilete mesatare Zurich-Prishtinë kushton rreth 350 euro, atëherë i bie që diku rreth 300 mijë euro të jenë vjedhur nga xhepi i kosovarëve të cilët jetojnë në Zvicër e Gjermani, duke i shtuar kësaj edhe humbjen e fluturimeve.