19.11.2019

Për dy vjet, tetë raste të vdekjeve në burgjet e Kosovës

17 Qershor 2019

Brenda dy vjetësh, sipas të dhënave të Shërbimit Korrektues të Kosovës, tetë persona kanë vdekur nëpër burgje, ndërsa po vuanin dënimin. Përjashtuar një rast i cili po hetohet, vdekjet tjera, sipas përfaqësuesve të këtij Shërbimi, kanë ardhur si pasojë e sëmundjeve prej të cilave ata vuanin dhe se asnjë nga rastet nuk cilësohet vdekje e dyshimtë.

Florent Gashi, zyrtar për informim në Shërbimin Korrektues të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se të burgosurit të cilët kanë vdekur brenda burgjeve të Kosovës, kryesisht vuanin nga sëmundje të rënda.

“Gjatë dy vjetëve të fundit, nëpër burgjet e Kosovës kanë vdekur gjithsejt tetë persona. Vdekjet kanë ardhur si pasoje sëmundjeve të tyre (të të burgosurve). Kryesisht po vuanin nga sëmundje të rënda, si kanceri, sëmundje të zemrës, sëmundje infektive, etj. Nga këto raste, vetëm rasti i fundit, i cili ka ndodhe ditën e premte më datë 14 qershor, po hetohet nga organet kompetente. Rastet tjera janë konfirmuar si vdekje jo të dyshimta”, thotë Gashi.

Rasti i fundit i vdekjes së një të burgosuri ka ndodhur javën e kaluar në Qendrën Korrektuese në Dubravë. Ai ishte i lindur në vitin 1992, shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe akuzohej për veprën penale: blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve.

I burgosuri, me rekomandim të mjekut të Qendrës Korrektuese në Dubravë ishte dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës, por edhe përkundër ofrimit të ndihmës mjekësore ka ndërruar jetë, ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Përfaqësues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), flasin për shërbime joadekuate mjekësore brenda burgjeve të Kosovës. Kryetari i KMLDNJ-së, Behxhet Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo vdekje e të burgosurve në burgje paraqet shqetësim dhe se shteti duhet të ketë obligim mbrojtjen e shëndetit të tyre.

“Duhet të kemi parasysh që brenda një viti në institucionet korrektuese kalojnë 3500 deri 4000 raste të të burgosur dhe ky është numër i madh dhe ka raste që brenda vitit kemi deri në katër raste të të burgosurve që vdesin nëpër burgje. Duhet të kemi parasysh që atje shkojnë persona që kanë edhe probleme shëndetësore, e pastaj u përkeqësohet shëndeti, pasi që janë rrethana krejt tjera në burg. Shërbimi shëndetësor në burgje nuk e ka kapacitetin që e ka shërbimi publik dhe nëse bëhet një krahasim se në çfarë gjendje kemi shëndetësinë publike, atëherë nuk mundet që shërbimi shëndetësor i burgjeve të krijojë shërbime më cilësore”, thotë Shala.

Të burgosurit, shton Shala, në disa raste vuajnë edhe nga ndonjë sëmundje të rënda dhe të pashërueshme, por ka edhe raste kur ata sëmuren gjatë vuajtjes së dënimit.

Ai thotë se kanë kërkuar që për shkak të mungesës së ofrimit të shërbimeve të duhura mjekësore, ata që kanë një sëmundje të pashërueshme dhe të cilëve nuk arrihet të ju jepet ndihma mjekësore adekuate të mos mbahen në burgje, ndërsa për të tjerët të krijohen shërbime më të mira mjekësore.

“Ne kemi vërejtje se brenda burgjeve nuk ka kapacitet spitalor që të trajtojnë rastet më të rënda të sëmundjeve, e pastaj për shkak të sigurisë ata hezitojnë t’i dërgojnë në spitale jashtë burgjeve. Ne kemi kërkuar që të ndërtohet një spital në nivel të Kosovës, ku do të dërgoheshin të gjithë personat e privuar nga liria që kanë nevojë për trajtim mjekësor dhe i cili do të plotësohej me një kuadër profesional”, thotë Shala.

Një nga rastet e dyshimta të vdekjes në burg ishte rasti i Astrit Deharit në në gusht të vitit 2016. Ish-aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, ka vdekur teksa mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, nën dyshimin për pjesëmarrje në sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Familjarët e Astrit Deharit, por edhe Lëvizja Vetëvendosje nuk janë pajtuar me gjetjet e institucioneve vendore lidhur me këtë rast, të cilat kanë konstatuar se Dehari është vetëvrarë.

Familja ka dërguar super-ekspertizë në një institucion në Zvicër.