18.08.2019

Kontestohet legjitimiteti i Qeverisë për rekrutimin e noterëve të rinj

24 Korrik 2019

Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë hapin e radhës për t’iu bërë vend noterëve që kanë kaluar provimin e noterisë në procesin e zhvilluar javë më parë. 79 pozita të lira të noterëve pritet të plotësohen me noterë të dalë nga provimi, për të cilin gazeta ka shkruar se ka qenë i ndikuar politikisht nga PDK-ja dhe nga Komisioni për provimin e noterisë.

Me më së shumti pikë në testin për noter ishin vlerësuar, jo vetëm familjarët e zyrtarëve të PDK-së, por edhe kandidatët me lidhje familjare e shoqërore me anëtarët e Komisionit. Proceduralisht ata që kanë marrë më së shumti pikë në këtë test pritet t’i zënë edhe pozitat e shpallura të martën nga Ministria që udhëhiqet nga Abelard Tahiri i PDK-së, shkruan sot “Koha Ditore”.

Lidhur me këtë konkurs gazeta ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Drejtësisë, por gjatë ditës së martë Zyra për media e kësaj ministrie nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e adresuara.

Pas shpalljes së konkursit për rekrutim të noterëve ka reaguar Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), duke theksuar se pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, kjo qeveri nuk ka legjitimitet të udhëheqë me këtë proces. Sipas këtij instituti, pasi Qeveria aktuale është në largim, ministritë e linjës nuk kanë legjitimitet të marrin vendime për udhëheqjen e proceseve të rëndësishme, siç e kanë konsideruar atë të përzgjedhjes dhe të emërimit të noterëve.