24.05.2019

Isufi: Mund të merren edhe masa të tjera ndaj Serbisë

6 Maj 2019

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka dhënë afat deri më sot Qeverisë së Kosovës ta heqë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, me ç’rast ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj vendit. Por ministri i Tregtisë, Endrit Shala, i ka thënë “Zërit” se taksa nuk hiqet pavarësisht kërcënimeve nga shteti fqinj, shkruan gazeta \"Zëri\".

Se taksa mbetet në fuqi pavarësisht kundërshtimeve dhe kërcënimeve të shtetit serb e ka theksuar edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, i cili për “Zërin” ka thënë se Kosova assesi nuk i nënshtrohet presionit serb për heqjen e taksës.

“Serbia vazhdimisht ka bërë veprime kundër Kosovës dhe nuk është çudi një gjë e tillë, por Kosova e ka rrugën e vet dhe nuk i nënshtrohet asnjë presioni e askujt, meqë është shtet sovran, i pavarur dhe vendimet i ka të vetat, prandaj konsiderojmë se duhet të vazhdohet një politikë e dinjitetshme e Kosovës në mbrojtje të sovranitetit të saj”, ka thënë Isufi.

Për më tepër Isufi ka paralajmëruar edhe ndërmarrjen e masave të reja të reciprocitetit nga ana e Kosovës.

“Kërcënimet e Serbisë nuk janë të momentit. Ato janë në vazhdimësi ndaj Kosovës, por presidenti Vuçiq duhet ta dijë se taksa nuk hiqet derisa ta njohë Serbia Kosovën si shtet dhe atëherë mund të hiqet taksa. Përndryshe ka mundësi të ndërmerren edhe masa të tjera të reciprocitetit nga ana e Kosovës”, ka theksuar ai.