24.05.2019

Hoxhaj: Në Berlin mund të ketë afate kohore dhe propozime, por jo marrëveshje Kosovë – Serbi

19 Prill 2019

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se në takimin e 29 prillit në Berlin nuk mund të ketë një marrëveshje Kosovë – Serbi.

Sipas tij, në takime të formatit të tillë multilateral, mund të ketë vetëm afate kohore, e propozime se si duhet të vazhdohet tutje me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këto deklarata Hoxhaj i ka bërë gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Ky është një takim multilateral që organizohet prej gjermanëve dhe francezëve ku marrin pjesë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Dhe në takime të tilla multilaterale mos pritni që të keni marrëveshje. Ky është formati i takimit”, ka thënë Hoxhaj, shkruan Gazeta Express.

Ai ka thënë se qëllimi kryesor i këtij takimi në kryeqytetin gjerman është dialogu Prishtinë – Beograd, por jo arritja e marrëveshjes apo diskutimi i modaliteteve të saj.

“Fokusi kryesor është dialogu Kosovë – Serbi, por nuk do të ketë qëllim që të arrihet marrëveshje, apo të flitet për modalitetet e marrëveshjes. Mund të ketë mesazhe, mund të ketë afate kohore, apo propozime se si duhet të vazhduar tutje, por jo marrëveshje”, ka thënë Hoxhaj, raporton Gazeta Express.

Sipas tij, kjo është një mundësi shumë e mirë për Ballkanin Perëndimor dhe për Evropën që të thellohet sa i përket zhvillimeve në këtë pjesë.

Ai thotë që nëse hapen këtë verë negociatat me Shqipërinë dhe nëse jepen vizat për Kosovën atëherë do të rritet besimi në BE-në, në të kundërtën mendimi i shqiptarëve për Bashkimin Evropian nuk do të jetë më i mirë se sa ishte në 2018-ën.