22.07.2019

Hahn: Kosova dhe Serbia duhet ta shohin se investimet në kompromis shpërblehen nga BE-ja

17 Qershor 2019

Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn ka një paralajmërim për Bashkimin Evropian.

Kompromisi politik për Ballkanin Perëndimor duhet të shpërblehet, ka porositur para mbledhjes së nesërme të Këshillit të Bashkimit Evropian, Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Në rrethanat në të cilat Këshilli i BE-së nesër mund të shtyjë vendimin për bisedimet me Maqedoninë veriore dhe Shqipërinë, Hahn u ka bërë thirrje ministrave të BE-së që sa më shpejtë që është e mundur të përshpejtojnë bisedimet me Maqedoninë veriore sepse e sheh si sinjal të rëndësishëm për gjithë rajonin, transmeton lajmi.net.

“Nëse vjen deri tek lëvizja e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, ata duhet të shohin se investimet në arritjen e një kompromisi politik do të shpërblehen. Përndryshe, nuk kanë ndikim. Të gjithë duhet ta kuptojnë se sa është në interes të gjithë rajonit që të jepet një sinjal për një shtet”, porositi Hahn.

Ai ka insistuar se Maqedonia e veriut ka bërë gjithçka që kërkohej prej saj andaj pezullimin e një vendimi nga BE-ja e sheh si veprim të rrezikshëm, transmeton lajmi.net.

Ministrat e punëve të jashtme të BE-së në takimin e nesërm të Këshillit në Luksemburg pritet të marrin vendime dhe të bëjnë propozime në lidhje me hapat e mëtutjeshëm të shteteve që gjenden në procesin e anëtarësimit në BE.

Po ashtu, pritet të definohet një përgjigje e Këshillit ndaj propozimeve të Komisionit evropian  në lidhje me bisedimet me Maqedoninë veriore dhe Shqipërinë. Sipas informacioneve të fundit, ky vendim mund të shtyhet sërish./Lajmi.net/