22.07.2019

AAK-ja reagon: Ngjarjet në LDK të shëmtuara, s’kemi gisht në to

17 Qershor 2019

Partia e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një komunikate për media, ka reaguar për zhvillimet e fundit në procesin e zgjedhjeve të brendshme në LDK, raporton Express.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë bërë të ditur se respektojnë procesin e brendshëm zgjedhor dhe e konsiderojnë si çështje të brendshme të saj, por, duke shtuar se është në interesin e demokracisë në vend që të ketë një proces të shëndoshë zgjedhor në të gjitha partitë politike.

“Nuk mundemi të mos vërejmë se përplasjet e brendshme në LDK dhe përpjekjet e grupeve të caktuara për të marrë kontrollin e partisë, ndonjëherë duke degjeneruar edhe në përplasje fizike, janë shëmtuese për vetë LDK-në. Për më tepër përpjekjet për të implikuar AAK-në në këto incidente janë shpifje dhe përpjekje për të mbuluar defektet e brendshme të LDK-së”, shkruhet në komunikatë.

Sipas AAK-së, personi i përmendur si i implikuar në Kuvendin Zgjedhor të Degës së LDK-së në Mat, nuk është anëtar i AAK-së.

“Ne si parti i kemi punët tona dhe pos respektimit të zgjedhjeve të brendshme në LDK, nuk kemi asnjë interes tjetër”, përfundon njoftimi. /GazetaExpress/