22.07.2019

Telekomi e ndërpret kontratën me Devollët, Istrefi: Nuk vazhdojmë në këto kushte

27 Qershor 2019

Kryeshefi ekzkekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, po insiston se kontrata me “Z-Mobile” nuk do të vazhdohet, raporton Gazeta Express.

Istrefi ka deklaruar atë që tha edhe të hënën gjatë protestës së Sindikatës së Punëtorëve.

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, kryeshefi i Telekomit ka shkruar se është obligim ligjor që në secilën situatë të veprohet karshi mbrojtjes së interesit të kompanisë.

“Në frymën e saj, është edhe qëndrimi unanim i Bordit, Menaxhmentit Ekzekutiv dhe i vetë Sindikatës se të gjitha raportet kontraktore me partnerë, pa paragjykuar asnjë prej tyre, do të bëhen dhe vlerësohen sipas parimit të përfitimit të dyanshëm”, shkroi Istrefi.

Tutje, ai ka bërë të ditur se për të shmangur çdo keqkuptim, rithekson se kontrata me Z-Mobile nuk do të vazhdohet më tutje, kjo në bazë të konstatimeve të ekspertëve.

“Për hir të informimit të drejtë dhe transparencës maksimale dhe për të shmangur çdo keqkuptim të mundshëm, më duhet të theksoj se kontrata me Z Mobile nuk do të vazhdohet tutje sipas kushteve të cilat kanë ekzistuar deri më tani, kjo bazuar në konstatimet financiare të ekipeve ndërkombëtare të ekspertëve financiarë dhe të ekipit të ekspertëve ligjor. Ky njoftim i mosvazhdimit të kësaj kontrate, i është adresuar edhe vetë partnerit të Telekomit (Z Mobile), ashtu siç e parasheh edhe kjo marrëveshje”, ka deklaruar Istrefi.