21.06.2018

Përurohet segmeti R6 i autostradës 'Arbën Xhaferi'

14 Qershor 2018

Me moton “Jo shpejtësisë, Po sigurisë”, në Doganaj të Kaçanikut u mbajt ceremonia e përurimit të segmentit Bibaj-Doganaj të autostradës R6 “Arbën Xhaferi”. Krerët e institucioneve të pranishëm në këtë ceremoni e cilësuan këtë autostradë si rrugë moderne që mundëson zhvillimin e Kosovës, por edhe mundëson lidhjen e Kosovës me ekonomitë e vendeve fqinje dhe vendeve evropiane.

Për një kohë të shkurtë Kosova është shndërruar në lider të transformimit modern të infrastrukturës rrugës, tha kryeparlamentari Kadri Veseli në ceremoninë e segmentit Bibaj-Doganaj të autostradës “Arbën Xhaferi”. Kjo rrugë, sipas tij, është një pjesë e liberalizimit të qytetarëve të Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj e quajti këtë autostradë një mrekulli që po ndodhë në një terren të vështirë. Ai tha se investimet në infrastrukturë janë obligim i madh, por edhe efektin e kanë të madh në ekonominë e vendit.

Me një fjalë raste përurimin e këtij segmenti të autostradës e përshëndeti edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, i cili në mënyrë të veçantë e falënderoi kompaninë Becktel Enka.

Në mënyrë të vecantë dua ta falënderoj Becktel Enkan dhe gjithë ekipin e saj dhe partnerët për punën e madhe dhe përkushtimin për të ardhur deri këtu. Ju jeni, figurativisht, duke hapur rrugën për një të ardhme më të mirë të Kosovës”, tha Delawie.

E pranishme ishte edhe ambasadorja e Turqisë, Kivilcim Kiliç.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ndërkaq tha se ky është segmenti i parafundit që i paraprinë përmbylljes së tërë projektit deri në fund të këtij viti. Ai shprehu zotimin që me mbështetjen edhe të partnerëve strategjik, që brenda këtij mandati katërvjeçar, Kosova ta përmbyllë infrastrukturën rrugore.

Autostrada Prishtinë-Hani i Elezit është e gjatë rreth 60 kilometra dhe kap vlerën prej afër 600 milionë eurosh.