19.11.2019

MI-ja do t’ia japë ‘Bechtel & Enka-s’ 53 milionë penallti, por për vonesat e saj ia ka zgjatur afatin 152 ditë

4 Shkurt 2019

Instituti Demokratik i Kosovës ka gjetur se Ministria e Infrastrukturës (MI) dhe Bechtel & Enka, janë marrë vesh që kësaj të fundit t’i zgjatet afati për 152 ditë për të përfunduar punimet në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, transmeton Gazeta Metro.

Kjo, sipas KDI-së, ia pamundëson Qeverisë së Kosovës të kërkojë penalti për moszbatim të kësaj kontrate me kohë.

“Kjo është paraparë në aneks kontratën e nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës (MI) dhe Bechtel & Enka, kopje e cila mban datën 5 shtator 2018, të cilën e ka siguruar KDI-ja”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, aneks kontrata e protokolluar me numër 02/8457 dhe e nënshkruar nga palët përcakton detyrimet e Qeverisë së Kosovës për 53 milionë euro për autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, që njihet ndryshe si autostrada “Arben Xhaferi”.

“Me këtë aneks kontratë, përveç 53 milionëshit, MI-ja është pajtuar që të zgjatet afati i implementimit të kontratës bazë deri më 1 qershor 2019, përkatësisht 152 ditë i jepen kohë shtesë Bechtel & Enkes për zbatimin e punëve për këtë autostradë. Në anën tjetër ministria vazhdimisht, përmes prononcimeve në media të ministrit Pal Lekaj, ka deklaruar se janë duke shikuar mundësit për vënien e penaltive për vonesa të Bechtel & Enkas në kryerjen e punëve”, thuhet në letrën e KDI-së.

Njoftimit thotë se sipas kësaj aneks kontrate nuk është e qartë se si janë kalkuluar 53 milionë euro dhe se në çfarë baze është shtyrë afati për plus 152 ditë shtesë.

“KDI përmes konferencës për media në dhjetorin e 2018 ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës sqarime se si janë kalkuluar 53 milionë euro, por deri më tani nuk kemi pranuar asnjë informatë shtesë”, thuhet në fund të njoftimit./