19.11.2019

Mbi 1.850 punëtorë të Telekomit kundër vazhdimit të marrëveshjes me “Z-Mobile”

29 Mars 2019

Mbi 1.850 punëtorë të Telekomit të Kosovës kanë nënshkruar peticionin kundër vazhdimit të kontratës me kompaninë “Z-Mobile”, të iniciuar nga Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së javën e kaluar.

Sipas kësaj sindikate, kontratat e dëmshme dhe siç i ka quajtur korruptive të lidhura ndërmjet organeve udhëheqëse të Telekomit me kompani jashtë kësaj ndërmarrjeje e kanë dëmtuar rëndë gjendjen në Telekom, shkruan Koha Ditore.

Peticioni me nënshkrime u është dorëzuar kryeministrit, kryeparlamentarit, grupeve parlamentare, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe ARKEP-it.

Përfaqësuesi i Sindikatës, Lamih Balaj, në konferencën për media të enjten ka thënë se sipas të gjitha analizave profesionale, që janë bërë nga ekspertë të fushave të telekomunikacionit, të ekonomisë dhe të jurisprudencës, listës së dëmtueseve të Telekomit i prin kontrata me “Z-Mobile”.

Kjo kontratë e lidhur në vitin 2009 në mes të Telekomit të Kosovës dhe “Dardafone.net”, tash i njohur si “Z-Mobile”, skadon më 30 korrik të këtij viti.

FSP PTK ka kërkuar nga të gjitha organet vendimmarrëse që kontrata “korruptive dhe shkatërrimtare me “Z-Mobile” assesi nuk guxon të vazhdohet pas skadimit të saj më 30 korrik të këtij viti...