22.09.2018

Lluka i përgjigjet Tmavës, mandati juaj ka skaduar në muajin Shkurt

12 Mars 2018

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka i është përgjigjur akuzave të Fillimisht drejtorit të Trepça Sh.A. duke sqaruar se mandati i tij ka përfunduar me datën 5 shkurt 2018, andaj, cilado letër “dorëheqje”, është tendencioze, jo e sinqertë dhe nuk krijon pasoja juridike.

Këto komente Ministri Lluka i bëri gjatë një konference të jashtëzakonshme, ku tha se MZHE është e obliguar që të respektoj afatet dhe dispozitat ligjore për gjithë secilin udhëheqës të cilësdo ndërmarrje publike, pra edhe për ish-Menaxherin e Trepça Sh.A. z.Ahmet Tmava.

Lluka ka thënë se nga marrja e mandatit në muajin Shtator 2017 ka qenë i angazhuar me të gjitha kapacitetet dhe ka trajtuar me prioritet çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin dhe administrimin e Trepça Sh.A.

“Si rezultat jemi në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së anëtareve të Bordit Mbikëqyrës, të cilët janë të vetmit me kompetencë ekskluzive për përzgjedhjen e stafit menaxherial si dhe marrjes së vendimeve strategjike dhe në interes të ndërmarrjes”, tha ai.

Me datën 28 shkurt 2018, Ministri Lluka ka pranuar një kërkesë nga ana e ish-menaxherit të Trepça Sh.A. z.Ahmet Tmava, për qasje në bankë, të cilën e ka refuzuar, duke pasur në konsideratë që kërkesa si e tillë është jo e ligjshme dhe e parashtruar nga një ish-menaxher, të cilit i ka përfunduar mandati.

Në këtë drejtim, Ministri Lluka duke marrë parasysh interesin e punëtorëve dhe në përgjithësi të afarizmit të ndërmarrjes ka kërkuar që autorizimi për të operuar me paranë e ndërmarrjes të bartet tek personat kompetentë, në përputhje me aktet ligjore në fuqi si dhe praktikën e deritanishme.

“Pretendimet për ndërhyrje të çfarëdo lloji janë të pabaza dhe qartësisht kanë për qëllim keq-informimin e opinionit publik e mbi të gjitha arsyetimin e veprimeve të njëanshme të ish-menaxherit z.Tmava, i cili pa kurrfarë njoftimi paraprak tek aksionari (në këtë rast Ministria e Zhvillimit Ekonomik), vendos të marrë pjesë në aktivitete, të cilat implikojnë shpenzime financiare për ndërmarrjen e të cilat janë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi”, ka sqaruar Ministri.