16.01.2019

23 vdekje të punëtorëve gjatë vitit të kaluar

5 Janar 2019

Në Kosovë gjatë vitit që kaloi kanë ndodhur 23 vdekje të punëtorëve. Shumica prej tyre janë të sektorit të ndërtimtarisë. Ndërkohë që ka vetëm 43 inspektorë, të cilët brenda një viti bëjnë 189 inspektime.

23 punëtor kanë vdekur gjatë vitit të kaluar në vendin e tyre të punës.

17 vjeçar është punëtori më i ri që ka vdekur kurse me i moshuari 71 vjeçar. Insajderi ka publikuar listën me emrat e mbiemrat e punëtorëve të vdekur dhe kompanitë ku kanë punuar.

Me 1 dhjetor në DeÒ«an, një person ka ndërruar jetë derisa ishte duke punuar. Viktima kishte humbur ndjenjat derisa ishte duke punuar dhe është rrëzuar në rrugë.

I njëjti është dërguar në spitalin rajonal dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar se nuk ka shenja jete.

Disa ditë para tij, Shefqet Fetahaj nga fshati Raushiq i Pejës ka humbur jetën pak ditë më parë pasi që pësoi aksident në vendin e punës.

Fetahaj punonte në një kompani betoni, ku e humbi dorën në një nga makineritë të cilën ishte duke e pastruar. Pas disa ditësh në komë, me 6 dhjetor ai vdiq në QKUK.

Të gjitha rastet e vdekjeve kanë ndodhur në sektorin privat.

Sindikata e Sektorit Privat e ka paraqitur vitin 2018 si vitin me më së shumti raste të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës.

“Gjatë këtij viti ka pasur 23 raste të vdekjes së punëtorëve në vendin e punës. Fatkeqësisht është numër rekord”, tha kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
Sipas të dhënave të Administratës Tatimore në Kosovë figurojnë 85 mijë e 566 biznese aktive në sektorin privat.

Por aktualisht në Kosovës janë 43 inspektorë të cilët arrijnë të bëjnë rreth 189 inspektime në vit.

Ministria e Punës pati paralajmëruar se deri në fund të vitit do të shtoheshin edhe tre inspektorë. Kurse 15 tjerë pritet të punësohen vitin 2019.

Gazeta Insajderi ka kërkuar qasje në vendimet e inspektoratit për dënimin e kompanive, shumën e dënimeve që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave dhe sigurinë e punëtorëve në punë  për tri vitet e fundit.

Inspektorati nuk ka ofruar qaje në këto dokumente. Kurse në Ministrinë e Punës kanë deklaruar se këto dokumentacione i posedojnë vetëm në Inspektorat.

Inspektorati kishte pezulluar punimet në 11 kompani

Në muajin nëntor të këtij viti, ministria e Punës kishte njoftuar se Inspektorati për gjatë dy javëve në komunën e Prishtinës, ka inspektuar 160 vend punishteve.

Gjatë inspektimit kishin shqiptuar 14 gjoba, për ato subjekte të cilat nuk i kishin zbatuar vendimet nga inspektimet e mëhershme. Për këtë kishin ndërprerë punimet me masën e pezullimit të përkohshëm në 11 subjekte.

Inspektorati i Punës pati bërë një raport të veçantë në vitin 2017 për inspektimet në sektorin e ndërtimtarisë.

Sipas raportit, Inspektorati ka realizuar 1,147 inspektime, 66 gjoba, 344 vërejtje, si dhe ka legalizuar 245 punëtorë, të cilët kanë qenë duke punuar pa kontrata të punës dhe janë pajisur me to pas shqiptimit të vërejtjeve ndaj punëdhënësve të tyre.