28.09.2012/09:25 - E Premte0

Buxheti 2013, 375 milionë për komuna

PRISHTINË – Tridhjetetetë komunat e Kosovës do të përfitojnë nga buxheti shtetëror 375 milionë euro gjatë vitit 2013. Ky është kufiri financiar, të cilin Ministria e Financave e ka përcaktuar për institucionet e nivelit komunal për vitin e ardhshëm e që njëkohësisht shënon një rritje prej 14 milionë eurove në krahasim me buxhetin e vitit 2012.

Shumica e buxhetit të komunave do të shpenzohet në pagat dhe mëditjet e stafit. Për këtë qëllim, Ministria e Financave ka planifikuar se gjatë vitit 2013, institucionet komunale mund të autorizojnë shpenzimin e 197 milionë eurove. Nga linja e shpenzimeve kapitale, sipas dokumentit të hartuar nga Ministria e Financave, llogaritet të shpenzohen rreth 82 milionë euro.

Për mallra dhe shërbime institucionet komunale do të kenë mundësi të shpenzojnë vetëm 35 milionë euro. Të hyrat totale financiare të buxhetit nga niveli komunal për vitin e ardhshëm llogaritet të jenë 61 milionë euro, apo rreth 2 milionë më pak sesa buxheti i përgjithshëm i kryeqytetit.

Prishtina do të jetë komuna që përfiton më së shumti buxhet, me një rritje prej 2 milionë eurove, në krahasim me vitin aktual. Ndërkohë, komuna që do të përfitojë më së paku nga buxhetit i shtetit për vitin e ardhshëm, është Kllokoti. Kjo komunë do të ketë në total 990 mijë euro për shpenzim në vitin 2013.

Kryeqyteti do të ketë në dispozicion 63 milionë euro në përgjithësi, përderisa nga kjo vlerë financiare do të ndajë 21 milionë e 680 mijë euro për pagat dhe mëditjet e zyrtarëve komunalë, duke përfshirë edhe drejtori të ndryshme. Në vlerë të njëjtë llogaritet të jenë të hyrat vetjake të kryeqytetit. Sipas vlerësimeve finale të Ministrisë së Financave, investimet kapitale të Prishtinës për vitin 2013 do të jenë 14.7 milionë euro.

Komento:



Reklama Juaj

Kursi Valutor

Njoftime/Konkurse