18.12.2013/18:28 - E Mërkurë0

Rrëfimi për vrasjen në Smolicë

PRISHTINE - I njohur në Gjakovë si njeri që sillte probleme, i ndjeri Ali Ahmeti nga Smolica, duket se raporte të këqija kishte edhe me familjarët e tij. Të hënën, pas një zënke në shtëpinë e axhës Abaz Ahmeti, ky i fundit e vrau atë. Prej asaj dite dorasi ndodhet në arrati në malet e Koshares. Burime të Express brenda Policisë së Gjakovës thonë se më së largu edhe dy ditë i dyshuari do t’i dorëzohet policisë. Sot forcat e rendit kanë gjetur armën me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

Të ndjerin Ali Ahmetin (I njohur edhe si Ali Sakica) e njihte e gjithë Gjakova si person problematik. 29 vjeçari, mes tjerash, më herët kishte plagosur edhe një pjesëtar të Policisë së Kosovës.

E duket se raporte të tilla Aliu kishte edhe me axhën e tij, Abazin. Kjo zgjati deri para dy ditësh, kur ky i fundit pas një zënke që kishte me nipin e la të vdekur në vend. Vrasja ndodhi në fshatin Smolicë në shtëpinë e të dyshuarit.

Gjithçka nisi paraditen e së hënës kur tashmë i ndjeri Aliu shkoi në shtëpinë e axhës pak metra larg për të sqaruar një problem të vjetër që këta dy kishin mes vete. Hynë në një dhomë të shtëpisë. Ishte kjo dhomë ku nisi gjithçka. Për plot gjysmë ore axha me nipin u zunë me fjalë për motive ende të paqarta. E kulmi ishte kur nipi doli jashtë derës së shtëpisë. Axhës, Abazit i mjaftoi veç edhe një fjalë e fundit e tij për të kryer një veprim jo fort të menduar. Abaz Ahmeti, nxori armën nga xhepi dhe gjuajti drejt nipin për ta lënë të vdekur në vend. Vendi i krimit ishin shkallët e shtëpisë, pikërisht dera e hyrjes së shtëpisë së Abazit. E prej asaj dite, dorasi u largua nga shtëpia dhe ende ndodhet në arrati.

Se çka e shtyri 60 vjeçarin të gjuaj drejt nipit 29 vjeçar akoma nuk dihet. Megjithëse policia duket se shpejt do ta kuptojë se çfarë në të vërtetë ndodhi të hënën në familjen Ahmeti nga fshati Smolicë e Gjakovës.

Burime brenda policisë në Gjakovë, i kanë thënë Gazetës Express se është veç çështje kohe se kur Abazi do të dorëzohet në polici. Madje ata e dinë edhe vendin ku po fshihet ky njeri që të hënën vrau djalin e vëllait të tij para dyerve të shtëpisë.

“Kemi marr vesh se dorasi Abaz. Ai që nga dita kur e ka kryer krimin ndodhet i fshehur nëpër malet e Koshares. Aty po qëndron tash e dy ditë”, i ka thënë ky burim nga policia gazetës.

E i njëjti burim thotë se policia nuk ka intervenuar për ta kap Abaz Ahmetin si të dyshuar për vrasjen e Aliut, pasi ai është duke e shqyrtuar mundësinë që t’i dorëzohet vet policisë dhe të pranojë gjithçka. “Është veç çështje kohe. Më së largu edhe dy ditë ai do të dorëzohet vet në polici”.

Por këtë veprim, ky burim thotë se Abazi nuk do ta bëj para se t’i rrëfej dy vëllezërve të tij, njëri nga të cilët është babai i viktimës Ali Ahmetit arsyen se pse e vrau nipin ditën e hënë.

“Ai aktualisht është duke u munduar të takohet me vëllezërit e tij për të rrëfyer se çfarë në të vërtetë ka ndodhur atë ditë në dhomë, e më pas ka vendosur të dorëzohet vet në polici”, thotë njëjti burim nga policia.

Ekipi i Gazetës Express ishte të mërkurën edhe në shtëpinë e të vrarit, por familjarët nuk deshën të flasin asgjë rreth vrasjes së Aliut.

Versioni zyrtar

E versioni zyrtar i policisë për këtë vrasje nuk jep më shumë detaje përveç atyre çfarë është thënë nëpërmjet një komunikate ditën kur ndodhi krimi. Krejt çfarë ka konfirmuar policia e Kosovës është se mëngjesin e sotëm ata e kanë gjet armën me të cilën dyshohet se Abaz Ahmeti e la të vdekur nipin, Ali Ahmetin.

Kolë Gjokaj, toger i policisë në Gjakovë, thotë se policia aktualisht është duke e hetuar rastin. Ai gjithashtu ka thënë se mëngjesin e sotëm, policia ka arritur ta konfiskojë armën me të cilën dyshohet se dorasi e ka kryer vrasjen.

“Sot kam marr informacion se policia e ka gjet një armë pak metra larg shtëpisë ku është gjetur trupi i viktimës. Arma ndodhet në ekzaminim balistik”, ka thënë Gjokaj për Express.

Sipas tij, motivet që e kanë shtyrë dorasin të gjuaj mbi viktimën do të merren vesh, veç atëherë kur policia arrin ta kap të dyshuarin. Dihet se axha vrau nipin, i cili para shumë vitesh pati plagosur policin Gazmend Rama në qendër të Gjakovës.

Kush është Familja Ahmeti nga Smolica?

Familja e të ndjerit, është prej familjeve më me ndikim në Komunën e Gjakovës. Shumica e meshkujve të kësaj familje ishin pjesë e luftës së fundit dhe pas luftës, për shkak të lidhjeve politike (kryesisht me Ramush Haradinajn por edhe me njerëzit e PDK’së) ata krijuan ndikim politik e ekonomik në Gjakovë.

Kështu, Ismet Ahmeti që pas luftës mbante pozita të ndryshme në TMK, sot është Drejtor i Radoniqit. Ai ishte njëri prej axhallarëve të të ndjerit, Ali Ahmetit.

Komento: