08.09.2012/00:03 - E Shtunë1

Pacolli: Hoxhaj ka insistuar që Thaçi ta falënderojë Malin në KS

PRISHTINË – Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli vazhdon përplasjen me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Ai e quajti dyfyrësi sjelljen e Hoxhajt karshi (mos) njohjes së Kosovës nga Mali.

Pacolli ka thënë se pikërisht ministri Hoxhaj ka insistuar që kryeministri Thaçi ta falënderojë Malin për njohje, ndërsa ka shtuar se nuk ka tërheqje të njohjes, nuk ka një letër zyrtare të tërheqjes së njohjes.

“Njohja nga Mali ka ardhë, origjinalin e letrës e kemi çuar në MPJ, kopje u kemi shpërndarë gazetarëve. Ministri Hoxhaj e ka parë atë notë verbale dhe ai ka qenë që e ka informuar kryeministrin derisa ka qenë në Nju Jork. Është shumë keq kur Hoxhaj ta përgënjeshtron një gjë që vetë e ka pasur në dorë dhe e ka informuar kryeministrit. Besoj se ai ose ka pasur një zbazëti në trurin e tij ose e ka bërë me vetëdije. Nëse e ka bërë me vetëdije është një dyfytyrësi, nëse ka bërë gabim i tërheqi fjalët”, ka thënë Pacolli, në një intervistë në Interaktiv.

Paqartësitë për njohjen nga Mali, sipas Pacollit, kanë ardhur pas një kërkese që ka ardhur nga Këshilli i Përkohshëm i Malit për një ndihmë teknike nga ana e Kosovës, gjë të cilën Kosova nuk ka mundur ta realizojë.

Ai ka mohuar shkrimin në Express se Nigeria nuk e ka njohur Kosovën. Sipas Pacollit, asnjë gazetar nga Kosova nuk ka kontaktuar me ministrin e Jashtëm të Nigerisë. “Sa më përket mua Nigeria na ka njohur”, ka thënë Pacolli, teksa ka shtuar se shumë shpejt do të arrihet numri 100 i njohjeve.

Më tej, zëvendëskryeministri Pacolli ka akuzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për papërgjegjësi, duke thënë se asnjëherë nuk e ka falënderuar asnjë shtet për njohje, që ka qenë rezultat i lobimit të tij, dhe se asnjëherë nuk ka tentuar të lidh marrëdhënie diplomatike me ato shtete. “Kjo është një dobësi e diplomacisë kosovare, sepse njohja nuk është e Behgjet Pacollit, por e Kosovës”, ka thënë Pacolli.

I pyetur për koalicionin, ai tha se po funksionon në mënyrë fantastike, ndërkohë presidentes Atifete Jahjaga i bëri thirrje që ta dorëzojë postin, sipas marrëveshjes së vitit të kaluar. Kurse i pyetur nëse e ka statusin e ish presidentit, Pacolli ka thënë se nuk është konsultuar me kushtetutën për këtë gjë, por ka premtuar se shumë shpejt do të lexojë Kushtetutën e Kosovës./KosovaOnline/

Komento: