14.06.2012/14:03 - E Enjte1

Kosova mori Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave

BRUKSEL - Delegacioni i Kosovës e mori sot në Bruksel Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Dokumenti iu dorëzua ministres për integrime Vlora Çitaku nga komisionerja e BE-së Sesilia Molmstrom. Zyrtarët nga Qeveria e Kosovës janë shprehur optimistë se do të plotësohen pa asnjë problem të gjitha kriteret e kërkuara.

Ky dokument paraqet një listë gjithëpërfshirëse reformash të cilat duhet t’i plotësojë Kosova. Këto reforma kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, ri-integrimin dhe ri-pranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe migrimin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe të drejtat themelore.

Përfundimet e dialogut për viza do të varen nga progresi i Qeverisë së Kosovës në plotësimin e këtyre kërkesave. “Unë jam e kënaqur në veçanti për faktin se pata rastin ta dorëzoj këtë dokument, të pritur me padurim nga Qeverinë e Kosovës. Ceremonia e sotme e dorëzim-pranimit të këtij dokumenti, i shpie qytetarët e Kosovës një hap më afër udhëtimit pa viza. Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave përfshin reformat të cilat do të duhet t’i implementojë Qeveria e Kosovës, për të krijuar një mjedis të sigurt për të udhëtuar pa viza. Se a do të bëhet realitet udhëtimi pa viza dhe se kur do të bëhet varet nga angazhimi i qeverisë për implementimin e këtyre reformave të vështira në terren”, tha Cecilia Malmström.

Udhërrëfyesi për Kosovën përmban 101 kritere, dyfish më shumë nga ato të vendeve të rajonit. Zyrtarët e BE-së kanë sqaruar se kjo është bërë në mënyrë që të mos përsëriten gabimet që janë bërë me shtetet e rajonit. Përfaqësuesit e delegacionit kosovar janë shprehur optimist se Qeveria e Kosovës është e përgatitur dhe se do t’i plotësojnë të gjitha kriteret e kërkuara, raporton RTK.

Ministrja për integrim Vlora Çitaku ka thënë se marrja e udhërrëfyesit është fryt i punës së përgjithshme të institucioneve të Kosovës, por nuk ka përmendur ndonjë afat se për sa kohë do të mund të arrihet deri të liberalizimi i vizave.

Në margjinat e ceremonisë së dorëzim-pranimit, Komisionerja Malmström u takua me Ministren e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, Ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, zëvendësministrin e Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, Kryetarin e komunës së Pejës, Ali Berisha, Kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova, Kryetarin e Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviq dhe Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa.

Udhërrëfyesi për vizat ishte diskutuar së fundmi edhe në nismën e Dialogut të Strukturuar për Sundim të Ligjit me Kosovën nga ana e Komisionerit për Zgjerim, Stefan Füle dhe Komisionerja Malmström me përfaqësuesit kosovarë më 30 maj në Bruksel.

Sot, Komisioni Evropian dhe Qeveria e Kosovës, po ashtu, mbajtën një takim të nivelit të lartë, për të diskutuar për hapat e ardhshëm të dialogut për vizat me Kosovën. Tani nga Qeveria pritet që të paraqesë një përmbledhje gjithëpërfshirëse të legjislacionit dhe reformave të fundit, në fushat të cilat i mbulon udhërrëfyesi i vizave.

Komisioni Evropian do të vazhdojë të mbikqyrë përparimin nga ana e Kosovës në implementimin e detyrave që dalin nga udhërrëfyesi, përfshirë edhe hartimin e raporteve të rregullta.

Komente 1

duraku14.06.2012/18:31

po me siguri ne vitin 2014 bahet liberalizimi ivizave kshtu asht than para ni viti nga gazetarja nga brukseli gjeraraqina.

Komento: